Zgjerimet e rrugëve Nacionale i kanë shtuar shumë punë Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastruktrës.
Neni 60, Kriteret për Dhënien e Kontratës, pika një e këtij neni në Ligjin për Prokurim Publik thotë: “Autoriteti kontraktues do t’ia japë kontratën publike operatorit ekonomik që ka dorëzuar tenderin e përgjegjshëm me çmimin më të ulët.” Ky është rregulli bazë i funksionimit të secilit proces të prokurimit që paguhet me paratë e tatimpaguesve kosovarë.
Në të kundërtën, autoritetet, pra institucionet publike, përfundojnë në Gjykatën e Tenderëve. Dhe jo pak herë Ministria e udhëhequr nga binomi Liburn Aliu dhe Hysen Durmishi ka përfunduar në të.
Historia e sotme flet për zgjerimin e rrugës më të përfolur të kohëve të fundit, Kijevë-Dollc, një histori që është e vështirë t’i bie në fije, dhe vetë Aliu që e premtoi e Durmishi që i përzgjodhi kontraktorët.
32 milionë euro u ndanë për të, dhe dhjetëra kompani konkurruan për të fituar një nga 4 lotët e kësaj traseje që lidh kryeqendrën me komunat e Dukagjinit.
Menjëherë pas përzgjedhjes së operatorëve, dhjetëra kompani u ankuan në Gjykatën e Tenderëve, me pretendimin se Ministria, e cila udhëhiqet nga krahu i djathtë i Kurtit, Liburn Aliu, ka favorizuar operatorët ekonomikë të cilët u shpallën fitues për 4 lotet e vazhdimit të trasesë së magjistrales Pejë–Prishtinë, saktësisht nga Kijeva deri në Dollc.
Madje, në mesin e këtyre kompanive që fillimisht u shpallën fituese, kishte edhe të tilla që me vite partia në pushtet e Liburn Aliut i ka akuzuar për përfitime milionëshe nga buxheti i shtetit duke qenë të lidhura me njerëz të pushteteve të kaluara.
E renditur si kompania e nëntë sipas çmimit, kompania fituese për Lot 1 u përzgjodh “R&Rukolli” në konsorcium me “SABA BELCA” (Dega në Kosovë), “ELMAZAJ KONSTRUKSION” dhe “Tekno-Konstrukt SH.P.K” – një konsorcium kosovaro-shqiptar.
Vlera e këtij loti ishte rreth 8 milionë euro, dhe Koncerziumi i udhëhequr nga Rrustem Rukolli, ishte rreth 400 mijë euro me e shtrenjtë se kompania më e lirë për nga çmimi.
Një grup tjetër i kompanive të cilat kanë fituar tenderin për lot 2 janë: “Empreus Shpk”, “Jaha Company Shpk” , “Premium Ks”, “Tofior”, “NNT ABC”, “Metag Insaat Ticaret”.
Ndërsa për Lot 3 : “Lika Trade”, “Tofi DOO” , “Lika Company”
Për Lot 4 : “Famis Co Hc” , ‘KIT –AK’ , “Kag Asphalt Company”. Kjo sipas njoftimit të ministrisë për nënshkrim të kontratës.
Kjo akuzë vjen nga më shumë se 10 kompani që pretendojnë se u eliminuan kundërligjshëm nga procedurat e prokurimit në mënyrë që tenderi t’i jepej kompanive që sipas ankuesve janë të papërgjegjshme e që nuk i kanë plotësuar kërkesat e autoritetit kontraktues, në këtë rast Ministrisë, e cila pavarësisht kësaj ia dha tenderin OE të lartë përmendur për “Zgjerimi i rrugës Nacionale N9 segmenti Kijeve- Dollc, Loti 1 ,2,3”.
Dy vjet pas hapjes së këtij procesi të prokurimit, që u shpall në mars të vitit 2023, ende nuk i shihet fundi, të paktën për Lotin 1, ku ky tender ka nxjerrë në pah edhe dallaveret dhe konfliktet brenda Gjykatës së Tenderëve.
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
<!–
–>