Analisti politik, Visar Ymeri, ka deklaruar se sulmet e Vetëvendosjes ndaj Gjykatës Kushtetuese janë të pavërteta, të dëmshme dhe të rrezikshme, pasi e minojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe besimin e qytetarëve në institucionet e Kosovës.
Në një prononcim për Ekonomia Online, Ymeri ka theksuar se Vetëvendosja përdor një standard të dyfishtë ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke e kritikuar kur vendimet nuk i përshtaten dhe duke e lavdëruar kur i shërbejnë.
“Kjo është bërë si një farë norme që kemi parë dhe po e vërejmë secili që LVV-ja qëndrimin karshi Gjykatave në përgjithësi, përfshirë asaj kushtetuese, ka kogja shumë të ndikuara nga ajo nëse i pëlqen vendimi ose jo. Kur nuk i pëlqen vendimi thotë se kjo Gjykatë është hije e opozitës, e po i shërben Serbisë e 100 mijë akuza të tjera. Ndërkohë se kur i pëlqen vendimi e lavdëron. Për shembull ishte përbërja e njëjët e Gjykatës Kushtetuese që ia kishte shkurtuar mandatin qeverisë Hoti dhe ia kishte krijuar një farë mënyre mundësinë Kurtit që ta formojë qeverinë i vetëm herën e kaluar pa bashkëpunim me partitë e tjera. Në këtë drejtim mendoj se këto janë të pavërteta, si sulme janë shumë të dëmshme dhe të rrezikshme sepse po e ndikon kredibilitetin e Gjykatës Kushtetuese në përgjithësi”, tha ai.
Ai ka paralajmëruar se një qasje e tillë nga një parti që synon udhëheqjen e institucioneve mund të krijojë kaos dhe rrezik serioz për demokracinë.
“Mendoj që partitë politike, veçanërisht ato që kanë më shumë vota ose si VV-ja ose ato që pretendojnë me i themelu institucionet duhet me qenë shumë të kujdesshme të mirëmbajtjes së kredibilitetit të institucioneve të Kosovës sepse nëse as një institucion nuk i besohet në Kosovë atëherë kjo shkakton një gjendje kaosi. Edhe një rrezik të jashtëzakonshëm për demokracinë. E dyta është pastaj që ekzekutivi nuk ka të drejtë me i ndërhy gjyqësorit e aq më pak gjykatës Kushtetuese e cila është institucioni i vetëm që e ka për detyrë interpretimin e Kushtetutës dhe parimin e Kushtetutës”, tha ai, transmeton Klankosova.tv.
Duke folur për masën e përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, ai sqaroi se ajo është praktikë e zakonshme në raste të ngjashme.
The post Ymeri: VV me standarde të dyfishta, sulmet ndaj Kushtetueses rrezikojnë demokracinë appeared first on Klan Kosova.