26-vjetori i Policisë së Kosovës, Osmani: Jeni ndër shtyllat më të forta të sovranitetit dhe integritetit tonë territorial

news image

Me rastin e 26-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani mori pjesë në ceremoninë qendrore, ku vlerësoi guximin, përkushtimin dhe besnikërinë e zyrtarëve policorë ndaj vendit.

Gjatë fjalës së saj, Osmani tha se Policia e Kosovës është ndër shtyllat më të forta të sovranitetit dhe integritetit tonë territorial.

“’Polici i shërben vendit edhe kur vet përballet me rrezikun’, kjo frazë e njohur e përshkruan më së miri misionin fisnik, sakrificën dhe besnikërinë ndaj atdheut nga secili prej jush. Sot, në 26-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, ne kremtojmë historinë e saj, histori e kurajës, përkushtimit dhe përballjes me sfidat me të cilat është përballur dhe përballet çdo ditë shteti ynë. Policia e Kosovës është ndër shtyllat më të forta të sovranitetit dhe integritetit tonë territorial.”, tha Osmani.

Ajo shtoi se, që nga ditët e para të themelimit deri më sot, Policia ka treguar profesionalizëm dhe guxim, duke garantuar rendin dhe sigurinë e qytetarëve pa dallim, edhe në periudha të ndjeshme, veçanërisht në veri të vendit.

“Nga ditët e para të themelimit deri më sot keni dëshmuar se nuk ka rrethanë, nuk ka krizë dhe nuk ka kërcënim që mund ta lëkund besimin tuaj tek Republika. Sidomos, gjatë viteve të fundit, në periudha të ndjeshme, veçanërisht në veri të vendit, ju keni treguar profesionalizëm, guxim dhe keni garantuar rendin dhe sigurinë e qytetarëve tanë pa dallim.”, tha mes të tjerash presidentja.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/