Një llogari në Facebook që prezantohet si agjenci për lidhje martesore serioze, me mbi 3 mijë ndjekës, dyshohet se po mashtron burra të pamartuar duke iu kërkuar nga 200 euro për regjistrim.
Pas këtij aktiviteti qëndron një grua që prezantohet si Naxhije Ramadani nga Gjilani, e cila pretendon se ka përvojë 10-vjeçare në këtë fushë.
Ekipi i Kiks Kosova nisi hulumtimin duke u paraqitur si një 30-vjeçar nga Prishtina në kërkim të një nuseje, ku komunikimi filloi më 6 shkurt përmes Viber-it. Menjëherë pas interesimit, ajo kërkoi pagesën prej 200 eurosh për të nisur procedurat, duke refuzuar vazhdimisht takimet e drejtpërdrejta. Pagesa kërkohej të bëhej vetëm përmes kompanive të transferimit të parave, ndërsa adresa e dhënë në rrugën “Agim Rrahmani” në Gjilan rezultoi fiktive.
Edhe pse paratë u dërguan, takimi i premtuar me një grua nuk ndodhi dhe pas dy javësh ajo nuk u bë më e gjallë. Në faqen e saj publikohen fotografi dhe përshkrime të grave të ndryshme, ndërsa ka komente të shumta që paralajmërojnë për mashtrim dhe kërkesa deri në 2 mijë e 500 euro.
Agjencia në fjalë nuk figuron i regjistruar si biznes në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, duke ngritur dyshime të forta për një skemë të organizuar mashtrimi.


