Po bëhet gati një muaj, përkatësisht 20 ditë, që kur shqiptari Panos Ruçi, po sfidon kushtet atmosferike, lodhjen fizike e emocionale duke qëndruar përpara Parlamentit grek, për të drejtën e të birit të tij, i cili ndërroi jetë nga tragjedia në Tempi.
Ka dy kërkesa, zhvarrimi i të birit të tij, si dhe vënia e drejtësië, duke kryer analizat toksikologjike të të birit, Denis Ruçi, për të marrë përgjigje rreth vdekjes së këtij të fundit.
Në një intervistë të dhënë së fundmi për median greke, To Vima, Ruçi deklaron vendosmërinë e tij për të vijuar këtë betejë që ka nisur deri në fund.
“Jam këtu duke vazhduar grevën time për të drejtën. Nuk do të ndalem, do të shkoj deri në fund. Nuk mund të jetojmë në një vend që nuk lejon të zhvarros fëmijën tim”, tha ai.
Një thirrje u ka bërë politikanëve të qeverisë, të ndryshojnë qasjen ndaj kësaj ngjarjeje, e të tregojnë humanizëm.
“Anëtarët e qeverisë duhet të vijnë tek unë për një moment. Le të mendojnë si baballarë, si nëna… si do ndiheshin? Nuk mund ta kuptoj nëse ka pak njerëzillëk tek ata. Le të reflektojnë pak brenda vetes, të mendojnë me zemër dhe jo me karrige”, u shpreh ai.
Gjendja e tij shëndetësore, nuk është e mirë. Një ditë më parë, Ruçi, u transferua në spital, duke rezultuar me ënjtje të lehtë të gjymtyrëve të poshtme, hypotension ortostatik dhe takikardi, teksa ka humbur dhe 10 kilogramë.
“Unë po vazhdoj luftën time. Nuk jam mirë këto ditë, forca ime ka rënë, por njerëzit vijnë këtu më japin forcë. Njerëzit janë të zemëruar me atë që ka ndodhur. Kërkoj drejtësi, të di nga çfarë vdiq fëmija im”, tha ai.
Por, Ruçi nuk pranon vetëm zhvarrimin e të birit për ta pasur më pranë, por kërkon drejtësi. Ai shprehet se nuk do të dorëzohet deri në vdekje.
“Nuk do të pranoj vetëm një zhvarrim për testin e ADN-së. nuk lejoj askënd të dëmtojë fëmijën tim. Nuk do të pranoj kurrë vetëm një zhvarrim për testin e ADN-së, as unë, as familja ime, as populli. Do të ulem këtu edhe sikur të vdes. Nuk do t ëiki nëse kërkesa ime nuk pranohet. Dua të di si vdiq fëmija im”, tha Ruçi.
Ruçi ka nisur grevën në zonën ku ndodhet memoriali i përkohshëm i viktimave të tragjedisë së Tempit, përballë Monumentit të Ushtarit të Panjohur, aty ku është i shënuar edhe emri i të birit. Ai mban me vete një pankartë dhe një banderolë, përmes të cilave kërkon drejtësi dhe të drejtën për rivarrosjen e djalit.
Tragjedia e Tempit ndodhi më datë 28 shkurt 2023, rreth orës 23:21 me orën lokale. Përplasja “kokë më kokë” midis një treni pasagjerësh që vinte nga Athina për në Selanik dhe një treni mallrash që udhëtonte nga veriu drejt Larisës, i mori jetën 57 personave.
Në trenin e udhëtarëve ishin në total 350 individë, ku shumë u plagosën. Familjarët e viktimave kanë kërkuar drejtësi mbi ngjarjen. Që prej kohës kur ka ndodhur aksidenti, protesta të shumta janë zhvilluar në mbarë Greqinë.