15 vjet më parë Fatmir Sejdiu dha dorëheqje nga posti i presidentit

15 vjet më parë Fatmir Sejdiu dha dorëheqje nga posti i presidentit

Fatmir Sejdiu dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës 15 vjet më parë, më 27 shtator të vitit 2010.

Dorëheqja e tij erdhi si rezultat i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin konstatohej se Sejdiu ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës me mbajtjen e postit të presidentit dhe atij të kryetarit të LDK-së, ndonëse me funksione të ngrira.

Sejdiu e bëri publik vendimin e tij për dorëheqje gjatë një konference, me anë të së cilës ai u është drejtuar qytetarëve dhe opinionit.

“Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës. Sot unë kam dhënë dorëheqje nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës. Që nga 10 shkurti i vitit 2006, si President i Republikës së Kosovës dhe i të gjithë qytetarëve të saj, kam ushtruar këtë funksion me përgjegjësi, me përkushtim të plotë dhe ndërgjegje të pastër, gjithnjë duke pasur si udhërrëfyes themelor interesin e qytetarëve dhe të vendit tonë të dashur”, kishte deklaruar Sejdiu.

Presidenti i dorëhequr, Sejdiu, theksoi se kishte mbajtur postin e kryetarit të LDK-së me funksione të ngrira i bindur se kjo nuk paraqiste shkelje të Kushtetutës.

Sidoqoftë, ai u shpreh se vendimin për dorëheqje e kishte marrë pikërisht për të respektuar Gjykatën Kushtetuese si instanca më e lartë të interpretimit të Kushtetutës së Kosovës./ kp

The post 15 vjet më parë Fatmir Sejdiu dha dorëheqje nga posti i presidentit appeared first on Klan Kosova.