125 mijë euro dëm – aktakuzë ndaj Faruk Mujkës dhe një zyrtari tjetër komunal të Mitrovicës

125 mijë euro dëm – aktakuzë ndaj Faruk Mujkës dhe një zyrtari tjetër komunal të Mitrovicës

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve komunalë të Mitrovicës së Jugut, Faruk Mujkës dhe H.M., për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, Faruk Mujka, në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe H.M., si Drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në të njëjtën komunë, dyshohet se me dashje dhe në mënyrë të kundërligjshme kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të përfitimit pasuror për palë të treta, duke dëmtuar pronën publike.


Ngjarja lidhet me një vendim të datës 25 prill 2021, kur të pandehurit ndonëse në dijeni se Kuvendi Komunal kishte shpallur një pronë të paluajtshme me interes të posaçëm publik i paraqitën të njëjtit kuvend një Propozim-Vendim për këmbimin e kësaj prone, duke e paraqitur si pronë komunale.

Me këtë veprim, sipas Prokurorisë, është shkaktuar një dëm i konsiderueshëm prej 125,100 euro ndaj Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Përveç kësaj, Faruk Mujka përballet edhe me një akuzë shtesë për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”.

Prokuroria Speciale ka propozuar shqiptimin e dënimeve plotësuese ndaj të dy të pandehurve. /Telegrafi/