Tuesday, March 24, 2026
spot_img
HomeEkonomi120 euro bileta kthyese nga Austria, shtrenjtimi nga kompanitë kosovare në linjat...

120 euro bileta kthyese nga Austria, shtrenjtimi nga kompanitë kosovare në linjat ndërkombëtare

Rritja e çmimeve të derivateve ka reflektuar në rritjen e çmimeve të biletave të autobusëve në linjat ndërurbane në Kosovë.

Megjithatë, përveç rritjes së çmimit të biletave të autobusëve brenda Kosovës, shtrenjtimet kanë prekur edhe linjat ndërkombëtare.

Kompanitë kosovare të autobusëve që operojnë në linjën Kosovë-Austri-Kosovë, kanë bërë të ditur që nga data 23.03.2026 është bërë përditësimi i çmimeve të biletave, raporton Klankosova.tv.

Nga 100 euro sa ishte më herët, një biletë kthyese për Austri tash e tutje do të kushtojë 120 euro, teksa për një drejtim çmimi do të jetë 60 euro, nga 50 euro sa ka kushtuar deri tash.

Për fëmijët e moshës deri në 5 vjet, çmimi për biletë kthyese do të jetë 80 euro, nga 50 euro sa ka kushtuar deri më tash. Kurse, nga 25 euro, tash bileta për një drejtim do të kushtojë 40 euro.

Klan Kosova ka kontaktuar me njërën nga kompanitë “Bici Com”, që operon në këtë linjë ndërkombëtare.

Zyrtari i kësaj kompanie tha për Klan Kosova se operatorët e tjerë të linjave të tilla kanë arritur marrëveshje për rritjen e çmimit të biletave.

“Kjo është dashtë me u bë edhe më herët, kjo është shumë mirë. Kjo që u bë, edhe që me mbajt këtë që e kemi bë, tash duhet me mbajt kështu. Këtë e shoh mirë, kjo është mirë që ka ndodh edhe që u bë kështu edhe me mbajt secila kompani marrëveshjen qysh jemi marrë vesh”, tha zyrtari i kësaj kompanie.

Ndërkaq, Selatin Kaçaniku nga shoqata “Konsumatori” tha për Klan Kosova se një marrëveshje e tillë mes operatorëve është e patolerushme, duke shtuar se kjo konsiderohet kartelizim.

“Nëse ne e kemi ofertën me dy netë fjetje për Stamboll biletë kthyese 29 euro, nëse kryetari i shoqatës së transportuesve ka thënë se nuk do të ketë shtrenjtim, nëse disa edhe kombistë kanë premtu që nuk do t’i ngrisim çmimet do të thotë se kjo si linjë për perendim i bie si kartelizim marrëveshje. Do të thotë, po i vie era marrëveshje kartelizim, megjithëse ndoshta kanë pak më shumë arsye sepse çmimi atje i karburantit është 20% më i shtrenjtë se te ne, megjithatë kartelizim marrëveshje nuk guxon të ketë”, tha Kaçaniku për KlanKosova.

 

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT