12 ditë nga sot, nis afati për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

12 ditë nga sot, nis afati për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Gjykata Kushtetuese e ka nxjerr aktgjykimin e ri ku tha seanca konstituive e kuvendit e filluar më 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb.

Me publikimin e këtij aktgjykimi është ndërprerë masa e përkohshme që pati hyrë në fuqi nga 5 shtatori, e rrjedhimisht deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë afat prej 12 ditësh, duke filluar nga sot, që ta zgjedhin nënkryetarin serb.

Kushtetuesja tutje tha se nuk rezulton ndonjë obligim i deputetëve për votim në pako të nënkryetarëve të kuvendit, qofshin ata që propozohen nga tri grupet më të mëdha parlamentare apo komunitetet që nuk janë shumicë.

“Gjykata rikujton se nga dispozitat kushtetuese, të Rregullores së Kuvendit dhe praktika gjyqësore e Gjykatës nuk rezulton ndonjë obligim i deputetëve për votimin në pako të nënkryetarëve të Kuvendit, qofshin ata që propozohen nga 3 (tre) grupet më të mëdha parlamentare apo komunitetet që nuk janë shumicë”.

“Në këtë kontekst, duke qenë se votimi në pako nuk është shprehimisht i përcaktuar në Kushtetutë, i njëjti mund të realizohet nëse ka dakordim në mes të grupeve parlamentare apo deputetëve. Gjykata vëren se bazuar në praktikën parlamentare për zgjedhjen e nënkryetarëve nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë që nga viti 2011, nënkryetarët nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, janë votuar dhe zgjedhur në pako”.

“Kësisoj, Gjykata vlerëson që një procedurë e tillë e votimit mbetet në vullnetin e deputetëve dhe grupeve parlamentare me kushtin që të realizohet zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit”, thuhet në aktgjykim, transmeton Klankosova.tv.

Po ashtu, Gjykata Kushtetuese i ka obliguar 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës që të jenë të pranishëm në seancë dhe të votojnë “për”, “kundër” apo “abstenim” për zgjedhjen e nënkryetarit serb.

Seanca e fundit konstituive ishte mbajtur më 28 gusht, ku Lista Serbe pati propozuar deputetin Branislav Nikoliqin për nënkryetar nga radhët e komunitetit serb, por që kundër tij ishin 55 vota, ndërsa 25 të tjera ishin abstenime.

Pas Nikoliqit, votat nuk i mori as Zlatan Eleku, kryetari i Listës Serbe, pasi 54 deputetë votuan kundër, ndërsa 19 abstenuan.

Edhe tentimi i tretë i përzgjedhur me short, Stefan Kovaçeviq, pati dështuar që të ulej në ulësen e nënkryetarit, pasi mori 53 vota kundër dhe 19 abstenime.

Deputetët shumicë nuk e votuan as deputetin tjetër të Listës Serbe në po atë seancë, Sërgjan Popoviqin, i cili për kishte zero vota, 54 kundër dhe 19 abstenime.

I vetmi nga radhët e deputetëve serbë që ishte më së afërmi të zgjidhej ishte Nenad Rashiqi, por as ai s’i pati votat e mjaftueshme. Për Rashiqin votuan 56 deputetë, një ishte kundër dhe 20 abstenuan.

The post 12 ditë nga sot, nis afati për konstituimin e Kuvendit të Kosovës appeared first on Klan Kosova.