“11 vjet për ta fituar këtë ndeshje”, Hysaj flet pas triumfit në Serbi, komenton edhe rekordin që ia theu Lorik Canës

“11 vjet për ta fituar këtë ndeshje”, Hysaj flet pas triumfit në Serbi, komenton edhe rekordin që ia theu Lorik Canës

Mbrojtësi Elseid Hysaj është i lumtur që pas plot 11 viteve fituan ndaj Serbisë, mirëpo iu kujtoi lojtarëve se ende rrugëtimi nuk ka përfunduar.

Shqipëria shënoi fitore historike në Serbi falë golit të Rey Manajt, i cili realizoi me një super vollej.


Pas ndeshjes, për media dha deklaratë Hysaj, që u shpreh më i lumtur se kurrë për këtë fitore të madhe.

“Ndeshja më në fund u fitua, 11 vjet për të fituar këtë ndeshje. Kemi gabuar dy ndeshje, për të cilat mund të ishim duke festuar edhe më shumë. Mos harrojmë që kemi edhe dy ndeshje të rëndësishme përpara. Gjithë festimi tregon që jemi një grup fantastik. Kemi pasur vështirësi në fillim, por ja që po ia dalim, shpresoj të vazhdojmë kështu. Sulmuesit tanë po shënojnë gola të rëndësishëm”.

Ai tregoi edhe një prapaskenë interesante, ku tha se për herë të parë doli në fushë dhe i bindi lojtarët se nuk do të jetë asgjë e veçantë, prandaj të mendojnë se po luajnë në Shqipëri.

“Unë nuk dal kurrë për të parë fushën, sot dola, iu thashë lojtarëve, që sot është qetë, duket sikur luajmë në Shqipëri, tifozët do të ndizën më vonë dhe kështu u bë”.

Përndryshe, Hysaj e barazoi rekordin e legjendës Lorik Cana për më së shumti paraqitje në fanellën e Shqipërisë. Për këtë rekord, ylli i Lazios rikujtoi deklaratën e Cristiano Ronaldos që thoshte “rekordet janë për t’u thyer”.

“Loriku e di që rekordet janë bërë për t’u thyer, është krenari për mua, për familjen, kur të rriten fëmijët, do t’iu them që babi juaj është i shkruar në librat e historisë. Mesazhi i parë ishte i gruas, së bashku me 3 fëmijët”, u shpreh Hysaj.

Shqipëria me një fitore ndaj Andorrës edhe matematikisht e siguron një vend në play-offin e Kampionatit Botëror./Telegrafi/